Ekipi i boksit që do të përfaqësojë Kosovën në Lojërat Evropiane Minsk 2019, prej disa ditësh po përgatitet në Herceg Novi të Malit të Zi.
Boksierët po i “mbushin bateritë” për përfaqësim sa më të mirë në Minsk 2019, të cilat për sportin e boksit vlejnë edhe si Kampionat Evropian.
Donjeta Sadiku ( kategoria -60 kg), Shpëtim Bajoku (-64 kg), Patriot Behrami (-69 kg) dhe Ardit Delijaj (-81 kg), janë katër boksierët nga 12 sportistë sa numëron lista e Kosovës për Lojërat Evropiane.
Me boksierët në përgatitje janë edhe trajnerët Shefki Bogujevci e Besim Brahimi, si dhe përgjegjësi i ekipit, Latif Demolli.
Përgatitjet mundësohen financiarisht nga Komiteti Olimpik i Kosovës, ndërsa Federata e Boksit e Kosovës ka zgjedhur Herceg Novin, për shkak të përgatitjeve të përbashkëta edhe me ekipet e Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Ekipi kthehet në Kosovë në fillim të javës së ardhshme, para se të nisen për Minsk më 19 qershor.
Lojërat Evropiane Minsk 2019 mbahen prej 21-30 qershor në kryeqytetin e Bjellorusisë.