Ekipi i Kosovës në boks sot nuk u lejua të hyjë në territorin e Serbisë me simbolet e shtetit, duke u ndaluar në kufi.
Delegacioni i Kosovës ishte nisur për në Beograd, ku duhej të merrte pjesë në Kampionatin Botëror të boksit amator, që fillon nesër.
Lidhur me këtë çështje reagoi edhe Federata Ndërkombëtare e Boksit, AIBA me një letër drejtuar Federatës serbe të boksit, e më pas edhe me komunikatë zyrtare për media, duke kërkuar që Kosova të trajtohet njëjtë sikur vendet tjera.
Për këtë çështje tani ka reaguar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Ministria e Punëve të Jashtme, të cilat e kanë dënuar ashpër këtë vendim të autoriteteve serbe.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dënon ashpër vendimin e sotëm të autoriteteve të Serbisë, të cilët penguan hyrjen e sportistëve tanë në territorin e tyre, për shkak të simboleve shtetërore në uniforma.Me këtë veprim, Serbia si organizatore e Kampionatit Botëror të Boksit, kanë shkelur të drejtën e sportistëve dhe të drejtën e Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionat, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit. Federata e Boksit të Kosovës është anëtare me të drejta të plota në Federatën Botërore të Boksit (AIBA)”, thuhej në njoftim.
Tutje, MKRS tha se ka dërguar kërkesë me shkrim në Ministrinë e Rinisë dhe Sportit në Serbi për të ndërmarrë masat e nevojshme.
“Kërkojmë nga organet kompetente të shtetit të Serbisë të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të reagojnë me shpejtësi në mënyrë që garuesit tanë të arrijnë në kohë për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet nga 24 tetori deri më 6 nëntor. Këtë kërkesë e kemi drejtuar edhe me shkrim tek ministri i Rinisë dhe Sportit në Serbi, z. Vanja Udovičić”, thuhet ndër tjera në njoftimin e MKRS-së.