Federata e Boksit të Kosovës (FboxK) edhe këtë vit organizoi turneun tradicional ndërkombëtar “Pavarësia”.
Edicioni i 15-të me radhë i këtij turneu u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ku pjesëmarrës ishin boksierë nga Kosova, Zvicra, Shqipëria, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut.
Turneu “Pavarësia” prodhoi spektakël dhe meçe tejet të bukura për adhuruesit e boksit, ku në fund u ndanë çmimet për boksierin më të mirë të turneut, boksierin më të mirë të huaj, teknikun më të mirë, boksierin më fair-play dhe për çiftin më të mirë luftarak.
Por, organizimi i këtij turneu u bë pa përkrahje të institucioneve shtetërore, ku FboxK tash e 20 vite përkujdeset e vetme për organizimin e turneve, me para të cilat i marrin borxh, e pastaj që duhet t’i rikthehen.
Sekretari i Përgjithshëm i FboxK dhe gjyqtari ndërkombëtar i boksit, Latif Demolli për KosovaPress tregoi që përkrahja për organizimin e turneve mungon tash e 20 vite.
“Ky është viti i 20 që ne i kryejmë garat tani i kthejmë paret të cilat ne i kemi borxh”, tha Demolli.
Ndërkaq, pavarësisht kësaj, Demolli u shpreh i kënaqur me boksin që pa sot, ku tha ishte ndër turnetë më të mira deri më sot i Pavarësisë.
“Besoj që ishte ndër turnetë më të mira deri më sot i Pavarësisë për arsye se u pa një boks cilësorë, dhe ishim të kënaqur me boksin edhe të mysafirëve të cilët e treguan në ring… Besoj që do ta vazhdojmë këtë traditë… Ne do të vazhdojmë edhe më tutje të organizojmë këtë turnir tradicional për nder të shpalljes së Republikës së Kosovës”, tha Demolli.
Demolli po ashtu tregoi se javën e ardhshme ekipi kosovar i boksierëve do të udhëtojë drejt Strandjas së Bullgarisë për turneu më të madh botëror, ndërsa tha se beson se Donjeta Sadiku dhe ndonjëri nga boksierët të fitojnë normat për Lojërat Olimpike Paris 2024, në mënyrë që Kosova të përfaqësohet nga një boksiere femër dhe një boksier mashkull.
“Javën e ardhshme ne do të udhëtojmë në turnirin ma të madh botëror në Strandja në Bullgari ku janë kampionë evropianë, olimpik dhe botërorë, aty do ta matin vetën dhe besoj që deri në maj do të jenë në formën që i takojnë boksierëve… Besojmë që edhe Donjeta do të merr kuotën për Olimpiadë, po ashtu edhe nga dy tri boksierët njëri prej tyre të kualifikohet për Olimpiadë, dhe të kemi edhe një djalë edhe një vajzë në Lojërat Olimpike të Parisit 2024”, tha Demolli.
Po ashtu, edhe Shpejtim Bajoku, i cili u shpall boksieri më i mirë i turneut. Bajoku tha se kundërshtari i tij ishte i mirë dhe se boksi ishte shumë i mirë.
“Kundërshtari gjithkujt nuk i përshtatet aty, gjithkush se len me bo at boksin e vet. Shumë mirë ka shku boksi, kundërshtari ishte i mirë”, tha Bajoku.
Pjesë e turneut ishte edhe boksieri zviceran, Franck Joshua, për të cilin ishte hera e parë që po e viziton Kosovën. Joshua tha se kundërshtari i tij ishte shumë i fortë, ndërsa tha se kjo nuk do të jetë hera e fundit që vjen në Kosovë.
“Ishte një ndeshje shumë e ngushtë, një përballje shumë e mirë. Kundërshtari im, e përshëndes, tregoi një luftë tejet të bukur. Si kampionë, e prisja këtë nga ai, e shijova, kalova një kohë të mirë dhe unë jam shumë, shumë i lumtur… Sinqerisht, një turne i bukur, njerëz të jashtëzakonshëm, faleminderit gjithë popullit të Kosovës, pritje e mahnitshme, mikpritja ishte e mrekullueshme… Është hera ime e parë këtu dhe sigurisht që un do të vijë përsëri”, tha Joshua.
Në fund të turneut u ndanë edhe çmimet, dhe më poshtë mund t’i gjeni boksierët që i fituan ato.
Boksieri më i mirë i turneut
Shpejtim Bajoku
Boksieri më i mirë i huaj
Jemin Allmuça
Boksieri më fair-play
Arbër Elshani
Tekniku më i mirë
Alen Rustenov
Çifti më luftarak
Franck Joshua – Shpejtim Shabani.