IBA fton me vonesë ekipin e Kosovës për pjesëmarrje në botërorin e boksit në Uzbekistan
Federata e Boksit e Kosovës njofton opinionin në lidhje me zhvillimet e fundit të pjesëmarrjes së boksierëve tanë në botërorin e boksit, që prej 1 maj – 14 maj 2023, mbahet në Tashkent të Uzbekistanit.
Përkundër tentimeve të vazhdueshme për të marrë vizën nga shteti i Uzbekistanit, që nuk e njeh Kosovën, edhe pse na ishte premtuar ‘drita e gjelbërt’, për të na u mundësuar marrja e vizave, deri dje (29 prill) nuk na u dha asnjë arsyetim, as nga organizatori, e as nga IBA, ku kemi qenë gjithnjë në kontakt me ta dhe na është premtuar se nuk do të kemi problem.
Një sinjal pozitiv, por i vonshëm, erdhi mbrëmë, në orët e vona, ku zyra e IBA-s në Lozanë të Zvicrës, komunikon me sekretarin e FBoxK-së, Latif Demolli, me ç’rast na u tha se IBA ka kontaktuar me Komitetin Olimpik të Uzbekistanit, dhe gjithçka është rregulluar sa i përket vizave, ku na kërkohet të nxjerrim biletat për udhëtim.
Mirëpo, përkundër gatishmërisë së ekipit tonë që të udhëtojmë sot drejt Uzbekistanit, edhe pse me vonesë, pasi arritja jonë do të bëhej pas tërheqjes së shortit, të paraparë me 30 maj dhe fillimi i garave për 1 maj, ngase itinerari i biletave nuk mundësonte arritjen tonë më herët se sa pasditja e 1 majit.
Andaj, duke parë këto sfida të udhëtimit dhe arritjes me vonesë, por edhe mos konfirmimi me shkresë se do të na jepen vizat dhe do të na lejohet pjesëmarrja me të drejta të barabarta, në koordinim me kryetarin e FBoxK-së, Enver Krasniqi, sekretarin e përgjithshëm, Latif Demolli, përzgjedhësin, Besim Brahimi, presidenti i KOK-ut Ismet Krasniqi,sekretarin e përgjithshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, njoftuam zëvendësministren e Sportit, Daulina Osmani, dhe vendosëm të mos udhëtojmë, pasi nuk mundemi të arrijmë me kohë në gara.
Po ashtu, mos përfshirja e Kosovës në listën e shteteve pjesëmarrëse të publikuar në faqen zyrtare të IBA-së, ishte një arsye shtesë se Kosova mund të mos ketë trajtim të njëjtë, dhe se politika mund të ndërhyjë, si në rastin e Indisë, Spanjës e Serbisë, ku na u mohua pjesëmarrja me simbolet shtetërore.
Në pyetjen e sekretarit Demolli drejtuar zyrtarit të IBA-së, për vonesën dhe problemin që e kanë shtetet e tilla me Kosovën, ai theksoi: “Shtetet që se njohin Kosovën po ndërhyn Qeveria e shtetit, sepse sa i përket Federatës dhe Komiteteve Olimpike nuk është problem, pasi ne ndërhyjmë dhe deri më tani s’ka pasur problem, por problem është Qeveria e këtyre shteteve”.
FBoxK, që gjithnjë është në koordinim me MKRS dhe KOK-un shpreson që rastet e tilla të mos përsëriten dhe boksierët tanë që ishin të gatshëm, duke bërë edhe përgatitje speciale për t’u stolisur me medalje botërore, të cilën e kanë ëndërr, të mos penalizohen shkaku i përzierjes së politikës në sport.