Drejtuesit e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, kanë pritur sot drejtuesit e Federatës së Boksit të Kosovës (FBoxK), kryetarin Enver Krasniqi, sekretarin e përgjithshëm, Latif Demolli, boksieren Donjeta Sadiku dhe trajneren e saj, Marjolla Sallauka, pas fitimit të normës olimpike Paris 2024.
Sadiku siguroi ‘vizën’ për LO Paris 2024, pas katër luftërave të fituara në turneun botëror kualifikues të mbajtur në Busto Arsizio të Italisë.
Presidenti Krasniqi duke e përgëzuar Sadikun dhe FBoxK-në për arritjen, uroi që ky sukses të fuqizohet edhe më shumë në Paris 2024, duke u kurorëzuar me medalje olimpike.
Boksierja Sadiku duke folur për sfidat dhe suksesin, vlerësoi lartë mbështetjen e KOK-ut në vazhdimësi, si me bursë olimpike ashtu edhe me përgatitje jashtë vendit, derisa u shpreh optimiste për sukses edhe në kryeqytetin francez.
Kryetari i FBoxK-së, Krasniqi, falënderoi të parin e KOK-ut për pritjen dhe mbështetjen, duke thënë se ky është sukses i përbashkët i federatës, KOK-ut dhe gjithë Kosovës.