Drejtuesit e Federatës së Boksit u takuan me ministrin Gashi

Drejtuesit e Federatës së Boksit u takuan me ministrin Gashi

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim njohës drejtuesit e Federatës së Boksit së Kosovës, të udhëhequr nga kryetari Ramadan Selimi.

Kryetari i FBoxK-së, Selimi, e uroi ministrin Gashi për marrjen e detyrës së re duke i dëshiruar punë të mbarë në realizimin e objektivave dhe programit të paraparë.

Ai e informoi ministrin për punën që po bën Federata e Boksit. Ndër të tjera, ai njoftoi ministrin Gashi për aktivitetet dhe sukseset e Federatës së Boksit sidomos gjatë vitit të kaluar dhe pjesëmarrjen e suksesshme në 35 gara ndërkombëtare duke theksuar suksesin e boksit të femrave.

Kryetari i FBoxK-së u shpreh se vlerëson bashkëpunimin e deritashëm me MKRS-në, dhe përkrahjen e vazhdueshme që ka dhënë ministria për boksin. Selimi përmendi edhe vështirësitë me të cilat përballen në realizimin e obligimeve nga ana e MKRS-së.

Ndërkaq, ministri Gashi falënderoi drejtuesit e Federatës për vizitën e tyre duke përmendur se Federata e Boksit do të përkrahet nga ana e MKRS-së dhe kjo përkrahje do të rritet edhe më tutje në të ardhmen, jo vetëm për boksin por edhe për sportin në përgjithësi.

Ai tha se bashkëpunimi mes MKRS-së dhe FBoxK-së do të jetë në vazhdimësi për të gjitha çështjet që kanë interes të përbashkët me qëllim që sukseset e kësaj federate të rriten edhe më tej.

“Boksi është sport me traditë në vendin tonë dhe në këtë sport kanë dalë shumë emra të njohur. Do të punojmë bashkërisht që këtë traditë ta vazhdojmë dhe të nxjerrim emra të rinj me të cilët do të përfaqësohemi dhe krenohemi”, tha ministri.

18_09_2017_2826467_foto1